image Kurti sërish premton se diaspora do të ketë vëmendje të merituar

Politikë

Kurti sërish premton se diaspora do të ketë vëmendje të merituar

news image

Kryeministri Albin Kurti, ka premtuar sërish se diaspora do të ketë vëmendje të merituar, derisa ka thënë se këtë nuk e ka marrë nga institucionet e qeverive të kaluara, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai ka njoftuar se ka pasur dje një takim me Boiken Abazin, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhanin dhe me komunitetin shqiptar në Itali. Në këtë takim virtual, thotë Kurti, erdhën shumë shqiptarë të Italisë.

“Komuniteti shqiptar në Itali, i cili është bukur i madh e i integruar, përkujton këtë vit 30 vjetorin e eksodit të madh prej Shqipërisë, drejt brigjeve të Pulias në Itali. Kjo përkon me fillimin e tranzicionit shqiptar i cili tashmë është bërë sistemik dhe duhet të kryhet. Por forcat e politikat që përfitojnë nga tranzicioni, nuk mund ta përfundojnë atë. Në këto tri dekada diaspora ka kontribuar aktivisht dhe masivisht në ekonominë e vendeve tona, madje ajo e ka ruajtur paqen sociale gjatë krizave ekonomike të vendeve tona, e megjithatë nuk ka pasur vëmendjen e merituar nga institucionet”, shkroi Kurti.

Kryeministri Kurti thotë se shqiptarët në Itali janë një faktor përcaktues për marrëdhëniet e dy vendeve.

“Si Qeveri e Kosovës bashkë me LVV në Kosovë dhe Shqipëri, angazhohemi së bashku që mërgata ta ketë përkrahjen që meriton, për të rritur edhe më tej kontributin e saj jetik për zhvillimin e kombit tonë. Për këtë arsye bashkë me Boikenin, Iliazin dhe Kreshnikun zhvilluam këtë takim për t’u njohur më mirë me nevojat e komunitetit tonë në Itali i cili përbëhet prej më shumë se gjysmë milioni personash. Shqiptarët e Italisë pretendojnë me të drejtë një rol më aktiv në politikëbërje. Po ashtu diskutuam mbi nevojën e hartimit të strategjive të përbashkëta mbi parandalimin e ikjes së të rinjve, thithjes së kapitalit human, njohjen e kontributeve shoqërore, vlerësimit të trashëgimisë kulturore në funksion të rritjes ekonomike si dhe rolit të arsimimit dhe gruas në shoqëri”, shkroi tutje Kurti.

Kurti pohon se ky qe një hap i rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës, që dëshmon se si vullneti ndryshon rrethanat e që na sheh edhe njëherë të bashkuar përtej kufijve të imponuar.

“Me qeverinë e re në Prishtinë e me ngritjen e Lëvizjes në Shqipëri, këso takimesh do të shndërrohen në praktika të zakonshme për të afruar dhe mobilizuar edhe më tej bashkëkombasit tanë jashtë vendlindjes”, premton Kurti. /Gazeta Sinjali/