image Kurti: Serbia po e shkel marrëveshjen, Borrelli e Lajçaku s’po e luajnë rolin e referit

Politikë

Kurti: Serbia po e shkel marrëveshjen, Borrelli e Lajçaku s’po e luajnë rolin e referit

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ngecjet në dialogun për normalizim raportesh, tek ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka strehuar udhëheqësin e grupit terrorist të Banjskës, Milan Radoiçiq. Ai ka fajësuar edhe ndërmjetësit për mosushtrim të rolit të tyre.

Në një intervistë për “politico.eu”, Kurti ka thënë se “qasja e Serbisë nuk është për normalizim raportesh me Kosovën”.

Siç shkruan ky portal, deklarata është dhënë një ditë pasi Kurti mori pjesë në drekën e organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor. “Si është e mundur t’i thonë po Marrëveshjes së Ohrit, por refuzojnë ta nënshkruajnë?” ka shtuar Kurti.

Kryeministri ka dhënë detaje edhe nga takimet në dialog me Vuçiqin. Edhe pse ishin në të njëjtin takim javën e shkuar, dy liderët s’kanë biseduar direkt, ka shkruar “politico.eu”.

“Kur ai flet, unë s’ndërhyj. Kurdo që flas unë, ai ankohet”, ka thënë Kurti për Vuçiqin.

Kurti ka akuzuar Qeverinë e Serbisë se e shkel në vazhdimësi marrëveshjen dhe se po e strehon kryeterroristin Milan Radoiçiq, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e vitit të shkuar. “Radoiçiqi është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi dhe i financuar nga Serbia”, ka thënë ai.

Në një moment Kurti ka fajësuar edhe diplomatët e Bashkimit Evropian, përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.

“Problemi është se zotërinjtë Borrell dhe Lajçak nuk i bien bilbilit kur ka shkelje. Paramendojeni një gjyqtar që sillet në fushën e futbollit pa bilbil”, ka thënë Kurti.

/GazetaSinjali/