Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e sotme për media është pyetur nëse ka pasë edhe raste të tjera kur Prokuroria ka shkuar në zyrën e kryeministrit për të intervistuar një kryeministër.
Ai ka potencuar se s’mund t’i thotë me datë këto raste, por tha se këtë e dinë këshilltarët e tij ligjorë, Ministria e Drejtësisë e “më së miri” vetë Prokuroria.
Kurti tha se ka vullnet e interesim që të japë deklaratën e tij si dëshmitar, por se nuk mund të merret përditë me këtë çështje.
“Ekziston komunikimi ndërmjet Kryeministrisë dhe Prokurorisë edhe t’u them të drejtën nuk mund të merrem paradite, masdite, përditë me këtë çështje. Unë do të merrem atëherë kur do të vijnë në Kryeministri të më intervistojnë si dëshmitar. Jam i hapur, i gatshëm, i vullnetshëm e interesuar që në Kryeministri ta jap deklaratën time si dëshmitar siç kanë kërkuar.
Por, meqenëse kjo gjë është bërë edhe në të kaluarën e ekzistojnë konfirmimet për këtë edhe në Kryeministri, e di edhe vetë Prokuroria, atëherë unë kam ofruar disa orare se kur kjo do mund të bëhej dhe po pres që me këtë çështje të merrem pikërisht duke dëshmuar e jo duke deklaruar mbi dëshminë, e cila nuk po ndodh”
“Prokuroria e di mirë se për çfarë rastesh bëhet fjalë. Datat edhe rastet nuk është që unë i kam shumë të qarta, por këshilltarët e mi e Ministria e Drejtësisë i dinë. Por edhe prokuroria e di më mirë se të gjithë ne së bashku”, ka thënë kryeministri Kurti para mediave.