Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim deputetët britanikë, Martin Vickers dhe Paul Foster, ku diskutuan për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe forcimin e bashkëpunimit në fusha strategjike, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, fokusi i diskutimeve ishte tek marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, si dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.
Kurti theksoi angazhimin e Kosovës në ushtrimet ndërkombëtare “Defender Europe 2025” dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit, duke nënvizuar se në katër vitet e fundit ka pasur një rritje prej 123% të numrit të ushtarëve, si dhe investime të mëdha në armatim. Po ashtu, ai theksoi rëndësinë strategjike të bashkëpunimit në industrinë ushtarake, një fushë e re që ofron mundësi për partneritete afatgjata me Mbretërinë e Bashkuar.
Një temë tjetër e rëndësishme e diskutuar ishte zhvillimi i sektorëve strategjikë të ekonomisë, si projekte të hekurudhave dhe teknologji, ku Britania e Madhe mund të luajë një rol të rëndësishëm në investime dhe bashkëpunim.
Takimi përfshiu gjithashtu diskutime mbi Procesin e Berlinit dhe samitin që do të mbahet në Londër, si dhe rëndësinë e anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në NATO, një hap që Kurti e vlerësoi si kyç për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Deputetët britanikë vlerësuan progresin e Kosovës dhe ribënë të qartë përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike dhe zhvillimit demokratik.
Në përfundim, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!