Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka pranuar një letër nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Angel Gurria.
Në këtë letër, Gurria shprehu solidaritetin me qeverinë dhe qytetarët e Kosovës në këto kohë të vështira të ballafaqimit me pandeminë COVID-19. Kjo krizë e paprecedentë për kohët tona po e teston kapacitetin tonë të përbashkët për të reaguar dhe bashkëpunuar.
Gurria, siguroi Kryeministrin në detyrë Kurti se Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik është e gatshme që të angazhohet dhe të mbështesë Qeverinë në përpjekjet e saj për të rimëkëmbur ekonominë pas situatës së krijuar me virus.
Gurria u shpreh se çdo krizë e madhe vë në pah mundësitë për të rimenduar sistemet tona. Para vetes kemi një mundësi unike për të transformuar mënyrat se si prodhojmë, konsumojmë dhe sillemi.