image Kurti po pret që Bislimi ta njoftojë se çka bisedoi në Bruksel, sërish i përmend kërkesat karshi Serbisë

Politikë

Kurti po pret që Bislimi ta njoftojë se çka bisedoi në Bruksel, sërish i përmend kërkesat karshi Serbisë

news image

Kryeministri Albin Kurti në një prononcim për media tha se po pret që të njoftohet nga kryenegociatori Besnik Bislimi, se çka është diskutuar në Bruksel.

Kreu i qeverisë ripërsëriti kërkesat karshi Serbisë për sukses në dialog, duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes bazike dorëzimin e Milan Radojçiqit dhe të grupit të tij kriminal dhe tërheqjen e letrës të ish-kryeministres Bërnabiq.

“Duhet të presim se çka do të na njoftoj prej atje Besnik Bislimi, zëvendësi im i cili është njëkohësisht edhe kryenegociator”.

“Për ne më e rëndësishme është siguria legale dhe mirëbesimi në bisedime që nënkupton nënshkrimin e marrëveshjes bazike me aneks të zbatimit, që nënkupton dorëzimin e Milan Rajdoiçiqit dhe të grupit të tij kriminal dhe që nënkupton tërheqjen e asaj letrës të ish-kryeministres Bërnabiq kur para BE e 27 shteteve anëtare në Bruksel në mes dhjetorin e të viti të kaluar tha që nuk e zbaton integritetin territorial të Kosovës”, u shpreh Kurti.

“Kjo është e papranueshme që integriteti territorial të mos respektohet”, ka thënë ai.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ndodhen në Bruksel për rundin e ri të bisedimeve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.

Njësoj si më herët, rundi i ri nisi me takime dypalëshe. I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, së pari është takuar me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

Më pas, ai nisi takimin me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Nëse do të ketë vullnet nga palët, më pas mund të zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh.

/GazetaSinjali/