image Kurti përmendi të akuzuarit e Speciales, Haradinaj: Na ka barazu me kryesit e krimeve, kthimi në rrugën e Zotit s'është kurrë vonë

Politikë

Kurti përmendi të akuzuarit e Speciales, Haradinaj: Na ka barazu me kryesit e krimeve, kthimi në rrugën e Zotit s’është kurrë vonë

news image

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Hagës.

Haradinaj ka thënë se Kurti më parë “s’ka lënë gjë pa thënë për ta”, teksa tani sipas tij, ai po i përmend për të mos humbur edhe më shumë besimin tek qytetarët.

“Nga frika se ky besim do të vazhdojë të bie ai vërtet do të provojë, ata që i ka sha deri para një viti tash po fillon… kjo është pjesa e mashtrimit kontra, e re. S’ka lënë gjë pa thënë dhe ka shku deri aty sa e ka barazuar Kosovën me Serbinë në Bruksel, që Kosova duhet me u liru prej kriminelëve të luftës në parti politike dhe institucione. Pra na ka barazu me kryesit e krimeve në Kosovë”, ka thënë ai.

Më tutje, Haradinaj tha se ka gjasa se Kurti është penduar për fjalët që i ka thënë më herët për ta.

“Nuk është kurrë vonë. Sikur të ishte e sinqertë ajo që e bën, pra pendimi, ose kthimi në rrugën e Zotit nuk është kurrë vonë. Me u kthy në rrugën e Zotit është me i respektu kategoritë e lirisë sepse liria është e përjetshme”, deklaroi ai në T7. 

Ndryshe, Kurti në intervistën e tij dhënë La Repubblica, arrestimin e ish-krerëve të UÇK-së e ka quajtur si një nga paradokset evropiane, duke thënë se ata që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë kanë bërë luftë të fortë me Serbinë.

“Ata bënë luftë të fortë me Serbinë, ne patëm dy mijë dëshmorë. Është e pabesueshme të kesh politikanë të lartë të Kosovës në burg që luftuan për liri”.

Ai tha se ndërsa kjo ndodh, Vuçiqi, ministër i dikurshëm i Sllobodan Millosheviqit, bashkëpunon ngusht me presidentin rus, Vladimir Putin.

Kujtojmë se ka kaluar një vit prejse ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, akuzohen nga Dhomat e Specializuara për vepra të rënda penale, si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për çdo pikë të aktakuzës dhe ende nuk dihet një datë se kur do të nisë procesi gjyqësor ndaj tyre, për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

/GazetaSinjali/