Kryeministri i vendit, Albin Kurti në 23 vjetorin e Betejës së Koshares ka kujtuar të rënët dhe lavdinë e saj, duke thënë se e ardhmja e kësaj beteje dhe e gjithë luftës së UÇK-së është Kosova e lirë dhe e pavarur.
Kurti tha se në kronologjinë e betejave të UÇK-së, Beteja e Koshares është integrale meqë aty u bënë bashkë luftëtarë shqiptarë nga të gjitha zonat e që u ndihmuan nga ushtria e Shqipërisë dhe nga NATO.
“Aty, luftëtarë nga të gjitha zonat operative dhe nga të gjitha trevat shqiptare, të ndihmuar nga ushtria e Republikës së Shqipërisë dhe forcat ajrore të NATO-s, luftuan kundër trupave të armatës jugosllave. Këtë 9 prill, mbushen 23 vite që nga koha kur ushtarët e UÇK-së nisën Betejën e Koshares, meqë më 9 prill të vitit 1999, në ora 3 e 15 minuta të mëngjesit, ushtarët e UÇK-së sulmuan forcat serbe fillimisht në karaullën “7 korriku”, për t’u pasuar me sulme në drejtim të Rrases së Koshares dhe Majës Gllava. Vetëm 12 orë më pas, të tre këto pika ishin në duart e ushtarëve të UÇK-së. Ata po zbatonin një vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që ishte përkthyer në plan operacional veprimi nga Brigada 138 e komanduar nga Agim Ramadani”.
Kurti ka shkruar se ky operacion i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënoi thyerjen e kufirit Jugosllavi-Shqipëri, kufirin, për të cilin tha se i mbajti shqiptarët të ndarë që nga viti 1913, kur ai u vendos dhunshëm nga Serbia.
“Për luftën e shqiptarëve kundër Serbisë, Beteja e Koshares dhe veçanërisht thyerja e kufirit, ishin një kalim liminal, sepse i hapi rrugë depërtimit më të lehtë të vullnetarëve të UÇK-së nga Shqipëria drejt Kosovës dhe krijoi hapësirë të lirë për kanale furnizimi me armë. E shtrirë në kohë për më shumë se dy muaj, Beteja e Koshares u zgjat me ofensiva dhe kundërofensiva që rezultuan me 114 ushtarë të UÇK-së të rënë dëshmorë dhe rreth 170 të tjerë të plagosur, djem trima që u përjetësuan në përpjekjet fisnike të popullit tonë për liri. Por bashkë me shokët e tyre që luftuan në Koshare, të ndihmuar edhe nga tytat e artilerisë së Ushtrisë së Shqipërisë dhe avionët bombardues të NATO-s, ata u shkaktuan ushtrisë së Serbisë 108 të vrarë, mes të cilëve edhe mercenarë rusë. Beteja e Kosharës krijon pikën e kthimit”.
Kryeministri tha se në historinë e luftërave të ushtrive serbe me shqiptarët, Kosharja është Luma e Dytë (1912), sepse aty, “tytat e armëve të ushtarëve të UÇK-së u kthyen në zjarre ferri për ushtarët serbë”.
“Një betejë e tillë integrale dëshmoi se pjesëmarrja e shqiptarëve në çlirimin e tyre kishte mbërritur fazën më të lartë të organizimit. Historia e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës, shënjohet veçanërisht nga betejat e UÇK-së, nga përpjekjet për të ndjekur idealet e dëshmorëve dhe kultivimi i mëtutjeshëm politik i tyre. Në historinë moderne të Kosovës, Beteja e Koshares paraqet një nga ato kalimet pas të cilave e shkuara thjesht nuk mund të kthehet më pas dhe kur e ardhmja e hapur para bëhet destinacion njëdrejtimësh”.
“E ardhmja e Betejës së Koshares dhe e gjithë luftës së UÇK-së, është e sotmja jonë e vazhdueshme. Është Kosova e lirë dhe e pavarur, në afrim e bashkërendim progresiv me Shqipërinë, me perspektivë drejt Bashkimit Evropian dhe me aleanca me vendet e NATO-s. Andaj Beteja e Koshares nuk rri si çast i përfunduar në histori. Ajo merr pjesë në kohët tona aktuale, në të gjithë realizimet shtetërore që burojnë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.