Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur detajet e takimit me ministrin e Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, duke theksuar se diskutimet u fokusuan në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kurti ka thënë se vizita e ministrit francez vjen pas angazhimeve të përbashkëta për forcimin e marrëdhënieve Kosovë–Francë, ndërsa ka përmendur nënshkrimin e pesë marrëveshjeve të reja gjatë kësaj vizite.
Sipas Kurtit, marrëveshjet për ekstradim dhe ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale do të rrisin bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër krimit.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se marrëveshja për një kredi prej 60 milionë eurosh dhe krijimi i Komitetit Francë–Kosovë synojnë mbështetjen e projekteve infrastrukturore dhe përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Ndërkohë, marrëveshja për mësimdhënien e gjuhës frënge pritet të zgjerojë mundësitë për promovimin e gjuhës dhe kulturës franceze në Kosovë.
Kurti ka vlerësuar se këto hapa përfaqësojnë një forcim të mëtejshëm të raporteve bilaterale mes Kosovës dhe Francës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!