Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media tha se Kosova nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave nga të gjitha shtetet, siç e kanë shtetet tjera, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti u shpreh se orientimi i tyre është që të pranojnë vaksina antiCOVID vetëm nga shtetet që e kanë njohur Kosovën.
“Duhet ta keni parasysh që Kosova duke qenë që nuk njihet nga jo pak shtete në botë, në mesin e të cilave janë edhe dy fuqi të mëdha, që janë edhe anëtare të Këshillit të Sigurimit, nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej. Orientimi ynë është me shtetet që na kanë njohur andaj edhe e kemi rezervën tonë dhe qëndrimin tonë karshi ofertave të ndryshme të cilat mund të na vinë nga shtetet mosnjohëse”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se ka dështuar vaksinimi i mësimdhënësve në Shqipëri pasi që janë shpenzuar vaksinat e AstraZeneca dhe Pfizer, dhe kanë mbetur vetëm ato kineze.
Ai tha se nuk pranoi që mësimdhënësit nga Kosova të vaksinohen kundër COVID-19 me vaksina kineze.
“Ne në fillim nga kryeministri Rama dhe ministrja Manastrliu kemi pasur janë ofertë gjeneroze që të vaksinohet personeli shëndetësorë në Shqipëri, ku ne do të organizonim procesin e transportit. Në ndërkohë vaksinat që erdhën në kontingjentin e parë, 24 mijë vaksina, vaksinimi i personelit shëndetësorë më shpejtë ndodhi në Kosovë dhe kam kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë që kjo të mundësohet edhe në vaksinimin e kategorive tjera Fatkeqësisht numri i vaksinave Pfizer dhe AstraZeneca janë shpenzuar, dhe kanë mbetur vetëm ato nga Kina”, ka shtuar ai./Gazeta Sinjali/