image Kurti: Nuk kam kërkuar të takohem me Grenellin në Munih

Kosovë

Politikë/ Kurti: Nuk kam kërkuar të takohem me Grenellin në Munih

news image

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka mohuar raportimet e mëhershme se i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, nuk ka pranuar që të takohet me të në Munih me rastin e Konferencës së Sigurisë.

I pari i ekzekutivit tha se nuk është takuar me Grenellin pasi që nuk ka kërkuar personalisht një gjë të tillë.

“Kam zhvilluar takimet që i kam kërkuar. Pra atje kam zhvilluar takime me kryeministrat e vendeve të rajonit dhe me të “State Department”, por unë kur kam shkuar në Konferencën e Sigurisë në Munih  nuk kam kërkuar takim me Grenellin. Nuk ka mundur të ndodhë takimi pa e kërkuar, përveç në korridor. Komunikim me të kam pasur dhe është i vazhdueshëm”, tha Kurti gjatë një konference për media.

Tutje, Kurti ka shtuar se jo vetëm me Grenellin, por në përgjithësi me faktorin ndërkombëtar ka komunikim dhe takime të rregullta.

“Kam komunikim të rregullt, kam pasë edhe sot edhe dje. Tash jam i Kosovës dhe nuk kam zor që të mbledh poena që është bërë e zakonshme për mua. A kemi dallime? Kemi. Por dialogun, komunikimin nuk e kemi ndalë asnjëherë. SHBA-ja është e pazëvendësueshme për ne. Nuk mendoj që mund të kemi superfuqi tjetër – siç ka menduar dikush tjetër – në vend të SHBA-së. SHBA, NATO, BE, Franca, Gjermania, por edhe Britania dhe shtetet e tjera janë miq dhe partner të Republikës së Kosovës. I mbaj e i mirëmbaj dhe kultivoj marrëdhëniet me ta, por unë ndërkombëtar nuk bëhem dot. Jam shqiptar, kryeministër i Kosovës”, përfundoi ai./GazetaSinjali/