Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e Kralanit dhe Rrezallës, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se për çdo ditë po i përkujtojmë masakrat e para 22 viteve.
“Dy identifikime të reja nga Kizhevaku, në përvjetorët e Kralanit dhe Rrezallës. Për çdo ditë përkujtojmë masakrat e para 22 viteve. Dje u mbushën 22 vjet nga masakra e Kralanit, kurse sot 22 vjet nga masakra e Rezallës. Në masakrën e Kralanit u vranë 87 shqiptarë që ishin qytetarë të komunës së Klinës, Malishevës, Gjakovës dhe Skënderajt”.
“Nga kjo masakër janë më shumë se 40 të zhdukur, vendndodhja e të cilëve ende nuk dihet. Ndërkaq, nga masakra e Rrezallës kemi 98 viktima, shqiptarë të ekzekutuar, banorë të këtij fshati dhe të fshatrave përreth. Rrezalla nga lufta e fundit kishte 44 të zhdukur, nga të cilët 2 viktima janë gjetur në ditët e para të pasluftës në Rrezallë dhe 29 viktima tjera janë gjetur në varrezën masive Gurorja në Rudnicë të Rashkës. Rrezallës i mungojnë edhe 10 persona të zhdukur gjatë luftës së fundit”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka thënë se krahas nderimit për të vrarët në masakrën e Rrezallës, ne duhet të kujtojmë me nderim edhe rrëfimet tragjike të të mbijetuarve.
“Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj. Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. Andaj sot, krahas nderimit për të vrarët në masakrën e Rrezallës, ne duhet të kujtojmë me nderim edhe rrëfimet tragjike të të mbijetuarve. Duhet të kujtojmë edhe Bacën Misin Deliu, të mbijetuarin e masakrës, i cili nga viti 2019 nuk është më në mesin tonë, por ‘ai mbijetoi dhe rrnoi për të tregu‘.
“Baca Misin në çdo përvjetor dhe mundësi që i është dhënë, ka rrëfyer historinë tragjike të një prej masakrave më mizore të kryera nga ushtria e Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Ai rrëfente dhe fliste, sepse donte drejtësi. Prandaj drejtësia duhet të vendoset, krimet duhet të ndëshkohen”, ka shkruar ai.
Tutje, shefi i ekzekutivit ka thënë se në këtë përvjetor kemi pranuar informatat se nga mostrat e eshtrave që janë zhvarrosur gjatë vitit të kaluar nga varreza masive në Kizhevak.
Kurti ka bërë me dije se pas analizave të ADN-së, janë konfirmuar se këto eshtra iu përkasin viktimave të luftës në Kosovë.
“Pikërisht në këtë përvjetor, kemi pranuar informatat se nga mostrat e eshtrave që janë zhvarrosur gjatë vitit të kaluar nga varreza masive në Kizhevak dhe janë dërguar për analizë të ADN-së, konfirmohet se këto eshtra iu përkasin viktimave të luftës në Kosovë. Deri më tani ka dy identifikime të reja për të cilat jemi në komunikim me familjet e personave të identifikuar”, ka shtuar Kurti.
Sipas tij, është shumë me rëndësi që gërmimet të rifillojnë në këtë lokacion, dhe në lokacionet e tjera të mundshme të varrezave masive
“Andaj, është shumë me rëndësi që gërmimet të rifillojnë në këtë lokacion, dhe në lokacionet e tjera të mundshme të varrezave masive. Ne mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë punën tonë duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve te tyre dhe të punojmë për vendosjen e drejtësisë.”, ka përfunduar Kurti./Gazeta Sinjali.