image Kurti: Marrëveshja Thaçi-NATO është e dëmshme, e kam çuar në Prokurori

Politikë

Kurti: Marrëveshja Thaçi-NATO është e dëmshme, e kam çuar në Prokurori

news image

Deputeti i PDK-së, Fadil Nura e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti nëse e ka adresuar në NATO çështjen e “një marrëveshjeje të fshehtë” për të cilën kishte deklaruar se është bërë mes kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe NATO-s në vitin 2013 në mënyrë që FSK-ja të mos hyjë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe.

Ai ka thënë se para një viti si kryeministër kishte thirrur konferencë ku kishte denoncuar ashpër marrëveshjen në mes Kosovës dhe NATO-s.

“Kishit shokuar opinionin publik jo me atë që thatë, por që për herë të parë një kryeministër po konteston një marrëveshje me institucione ndërkombëtare. E quajtët sekrete e të fshehtë madje akuzuat ish-presidentin Thaçi. Pas një viti realizuat një takim në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, a e adresuat shqetësimin tuaj për këtë çështje dhe cili është shqetësimi juaj sot për këtë marrëveshje”, ka thënë ai.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se marrëveshja në fjalë ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e Republikës së Kosovës.

Ai ka shtuar se qëndron prapa asaj që ka thënë.

Unë nuk e kam akuzuar sekretarin e NATO-s por kam akuzuar titullarin e atëhershëm që e ka dhënë firmën në një dokument të tillë. Një problem i moçëm nuk mund të rregullohet me një takim. Çështjen e kam adresuar në Prokurori dhe janë duke e trajtuar atë”, ka thënë ai.

/GazetaSinjali/