Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me rastin e shënimit të 24 vjetorit të masakrës në Lybeniq të Pejës, ku u vranë dhe u maskaruan 59 persona, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se ‘Çakejt’ pushkatuan burra, fëmijë, të moshuar, gra shtatzëna dhe foshnje.
“Më 1 prill 1999, forcat serbe u kthyen në Lybeniq të Pejës, pas masakrës së parë, më 25 maj 1998. Rreth orës shtatë në mëngjes, të prirë nga pjesëtarët e formacionit “Çakejt”, pushkatuan burra, fëmijë, të moshuar, gra shtatzëna dhe foshnje. Shumë prej të vrarëve, mes moshës 15 dhe 87 vjeç, u gjetën në varrezën masive në Batajnicë, në periferi të Beogradit”, shkroi ai.
Tutje i pari i Qeverisë tha se në këtë 24 vjetor, nderojmë kujtimin për të vrarët në masakrën e Lybeniqit, viktima të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Ndryshe, në fshatin Lubeniq ndodhën tri masakra. Ajo e 25 majit 1998, ajo e 1 prillit 1999, dhe ajo e 7 prillit 1999.
Ndër këto masakra më e madhja ishte ajo e 1 prillit 1999, në të cilën u vranë dhe u maskaruan 59 persona. Kjo masakër ka ndodhur kur forcat paramilitare serbe, në orën 07:00 të mëngjesit, kishin hyrë dhunshëm në fshatin Lubeniq, duke i nxjerrë banorët nga shtëpitë e tyre, dhe duke i grumbulluar ata në shesh, në qendër të fshatit.
Anëtarët e forcave paramilitare serbe, i ndanë meshkujt nga pjesa tjetër e popullsisë, ndërsa femrat, fëmijët dhe të moshuarit, u detyruan të niseshin për në Shqipëri.
Masakrat e Lubeniqit konsiderohen disa nga masakrat më makabre të pushtuesit serb në Kosovë
Trupat e shumicës së viktimave të masakrave të Lubeniqit u gjetën në lokacione të ndryshme të fshatit, në varrezat në Pejë, dhe shumë të tjerë në varrezën masive në Batajnicë, në periferi të Beogradit.
Mbi 10 banorë të fshatit Lubeniq, vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.
Aty janë ekzekutuar edhe tre të mitur, duke filluar nga mosha 18 muajsh deri në moshën 17-vjeçare, si dhe është vrarë e masakruar edhe një grua shtatzënë, të cilët figurojnë ende të zhdukur