image Kurti: Kriminelët që paguhen nga Serbia kanë intensifikuar sulmet në Veri, do kemi më shumë Polici të Kosovës atje

Politikë

Kurti: Kriminelët që paguhen nga Serbia kanë intensifikuar sulmet në Veri, do kemi më shumë Polici të Kosovës atje

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas shpërthimeve që kanë ndodhur sot gjatë ditës në veri të vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebok, Kurti ka thënë se bandat kriminale të paguara nga Serbia, kanë intensifikuar sulmet në veri të vendit.

Sipas tij, do të ketë hetime e ndjekje të kriminelëve që dirigjohen nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, teksa shton se me doemos do ketë prezencë të shtuar të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në komunat me shumicë serbe.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje”, shkroi ai.

Kurti po ashtu ka deklaruar se në katër komunat në veri, nuk ka ndarje në serbë dhe shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë.

“Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë”, tha tutje Kurti.

Kryeministri i vendit ka kërkuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë.

Ndryshe, shpërthime të njëpasnjëshme janë dëgjuar në veri të Kosovës gjatë ditës së sotme.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka pasur shpërthime e shkrepje armësh, por nuk është raportuar për të lënduar. Janë demoluar orenditë e zyrës së KKZ-së në Mitrovicën e Veriut.

Zyrtarët zgjedhorë ia mësynë zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor sot për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore, por ata u kthyen mbrapsht pas shpërthimeve të shumta.

Një tjetër shpërthim i fortë ka ndodhur afër zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në orët e para të mbrëmjes sotme në vendin e njohur si Tre Rrokaqiejt.

Brenda kësaj zyre dyshohet për një mjet të pashpërthyer.

Si rrjedhojë, objekti i KKZ-së në Mitrovicë të Veriut është rrethuar me shirita.

Postimi i plotë i Kurtit:

Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën…

Posted by Albin Kurti on Tuesday, December 6, 2022

/GazetaSinjali/