image Kurti: Kjo është njohje de facto në mes Kosovës e Serbisë

Politikë

Kurti: Kjo është njohje de facto në mes Kosovës e Serbisë

news image

Pas rreth 10 orësh diskutime në tavolinën e negociatave në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e përfaqësueseve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, raporton Gazeta Sinjali.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar për media pas përfundimit të takimit, ku ka bërë të ditur se me Serbinë është arritur pajtimi publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë.

Ai tha se në marrëveshjen bazë është njohje e ndërsjellë de-facto.

“Kjo është njohje de-facto në mes Kosovës e Serbisë. Sot mund të themi që e kemi edhe aneksin e zbatimit përcjellës, por i ikën nënshkrimit të marrëveshjes bazë, e i ikën edhe nënshkrimit të aneksit”, është shprehur Kurti.

Tutje, ai tha se i takon BE-së që të gjejë mekanizmin për ta bërë këtë marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme.

“Sa për aneksin e zbatimit, ai do të publikohet në faqen e BE-së dhe aty do ta lexoni e kuptoni edhe çka ka edhe çka s’ka”, është shprehur Kurti.

/GazetaSinjali/