image Kurti kërkoi vendimet joligjore të Qeverisë Haradinaj, vjen reagimi i AAK-së

Politikë/ Kurti kërkoi vendimet joligjore të Qeverisë Haradinaj, vjen reagimi i AAK-së

news image

Kërkesa e kabinetit të Kurtit për marrjen e listës së vendimeve joligjore të Qeverisë Haradinaj nga Zyra Ligjore e Kryeministrisë, për AAK-në duket e pakuptimtë. Në një prononcim për Gazetën Sinjali, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, thotë se të gjitha vendimet e qeverisë së kaluar Kurti i ka në zyrën e tij.

Tutje, Nitaj shprehet se vendimet e Qeverisë Haradinaj kanë qenë publike dhe nuk janë marrë në mënyrë klandestine.

“Albin Kurti hala është kryeminister në detyrë dhe të gjitha vendimet e qeverisë Haradinaj i ka në zyrën e tij. Nuk e kuptoj pse ka nevojë të bëjë histori këtë punë. Ato vendime kanë qenë publike dhe janë marrë në qeveri e jo në mënyrë klandestine”, tha Nitaj të premten për Gazetën Sinjali.

Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme raportoi ekskluzivisht për emailin e kabinetit të Kurtit dërguar Zyrës Ligjore të Kryeministrisë, që në fokus ka vendimet e Qeverisë Haradinaj. Përmes këtij emaili kërkohen vendimet e marra nën pikën të NDRYSHME, (kështu duke iu shmangur opinioneve negative të Zyrës Ligjore), dhe ato për të cilat eksplicit ka pasur opinion negativ të zyrës ligjore të ZKM ose Ministrisë së Financave.

Se pse kërkuan vendimet e Qeverisë paraprake, në pyetjet e dërguara nga Gazeta Sinjali nuk është përgjigjur zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu. /Gazeta Sinjali/