Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes një video i është drejtuar qytetarëve të vendit lidhur me zhvillimet e fundit në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit, raporton Gazeta Sinjali.
Kurti ka thënë se kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ultë në zgjedhje, janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve.
Sipas tij, Republika e Kosovës është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe se demokracia nuk mund të suspendohet e as të mbahet peng.
“Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ultë në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve. Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë. Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim. Republika e Kosovës është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Me institucione qeverisëse dhe të sigurisë të cilat trajnimet profesionale dhe orientimin vleror e kanë nga dhe kah shoqëritë perëndimore”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se dje është dëshmuar se përballë kemi grupe të së djathtës ekstreme me maska që vandalizojnë, sulmojnë dhe djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe.
“E dje, na u dëshmua përfundimisht dhe të gjithëve, se kë kemi përballë: grupe të së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë, sulmojnë, djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe, e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë. Ekstremistët dhe milicët kanë emra të veçantë. Ata nuk janë populli. Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti”, tha kryeministri Kurti.
Ai ka theksuar se Policia e KFOR-i në veri janë “kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore”.
“Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta”, ka thënë Kurti.