Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se fjala “mund” në nenin 82, nuk është e një mundësie të zgjedhjes por e një leje për të proceduar nga autoriteti, dhe ka kërkuar nga presidenti që të fokusohet në nenin 82.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, në vend se të hutohet me nenin 95 te Kapitulli VI i Kushtetutës (Qeveria e Republikës së Kosovës), duhet të fokusohet në nenin 82 te Kapitulli IV (Kuvendi i Republikës së Kosovës). Njëherazi, togfjalëshat e tij kundërkushtetues të deklaruar publikisht si “qeveri e re” apo “kritere mbizotëruese” nuk ndriçojnë rrugën përpara. Përkundrazi”, ka thënë Kurti.
Kurti përmes një shkrimi në Facebook, ka deklaruar që menjëherë pas pandemisë duhet t’i kthehemi sërish popullit për zgjedhje të reja e demokratike.
Ai ka theksuar se presidenti duhet të mendojë për një datë të zgjedhjeve sipas Kushtetutës dhe jo ta interpretojë atë.
“Përfundimisht, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë. Sepse ai duhet ta zbatojë Kushtetutën e jo ta interpretojë atë”, ka shkruar ai./ Gazeta Sinjali/