image Kurti i kritikoi publikisht, reagojnë Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës

Kosovë

Kurti i kritikoi publikisht, reagojnë Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës

news image

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial përmes një komunikate të përbashkët i kanë reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pasi ky i fundit ka thënë se janë bërë plotë tre ditë dhe dy institucionet e lartpërmendura s’kanë folur ende për veprime që do të ndërmarrin pas rastit të 11 vjeçares.

Këto dy institucione kanë thënë se sillen si institucione të përgjegjshme të pavarura dhe profesionale dhe jo si disa institucione të tjera të cilat s’përngjajnë më institucione shtetërore.

Nga KGJK dhe KPK i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përmbush obligimet kushtetuese dhe që viktimat e krimit të mos mbesin në “mëshirën e organizatave jo qeveritare për strehim dhe rehabilitim”.

Reagimi i plotë:

Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial theksojnë se në raport me këtë çështje sillemi si institucione të përgjegjshme, të pavarura dhe profesionale dhe jo si disa institucione që përmes reagimeve me deklarata publike nuk përngjajnë në institucione shtetërore.

Lidhur me këtë rast, ne si institucione kompetente në koordinim të plotë me institucionet tjera relevante, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për trajtimin e rastit me profesionalizëm.

Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i bëjnë thirrje Qeverisë që të përmbush përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për krijimin e kushteve të nevojshme për strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit, në mënyrë që viktimat e krimit të mos të mbesin në mëshirën e organizatave jo qeveritare për strehim dhe rehabilitim.

Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial sigurojnë opinionin se janë të vendosur për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera pa përjashtim

/GazetaSinjali/