image Kurti e Osmani i kërkojnë Von der Leyenit heqjen e masave ndëshkuese, presidentja e KE-së "s'garanton"

Politikë

Kurti e Osmani i kërkojnë Von der Leyenit heqjen e masave ndëshkuese, presidentja e KE-së “s’garanton”

news image

Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, pritën dje në Prishtinë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen.

Von der Leyen qëndroi të shtunën në Kosovë në kuadër të një vizite në vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin, për t’i siguruar ata se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet përparësi e bllokut, posaçërisht pas agresionit rus në Ukrainë.

Si Osmani, po ashtu edhe Kurti, kërkuan nga Von der Leyen heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është koha që BE-ja ti heqë masat ndaj Kosovës dhe të tregojë ashpërsinë e njëjtë sikurse me Rusinë, me satelitin e saj, Serbinë.

Osmani këtë kërkesë e paraqiti karshi presidentes së Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë të përbashkët për media.

Presidentja theksoi se Kosova po punon shumë në përafrimin e politikave të saj me të BE-së.

“Pres me padurim që të vazhdojmë bashkëpunim që e kemi ndërtuar gjatë viteve. Vizita vjen pas disa ditë pas miratimit agjendës së reformave për Kosovën. Ky është një lajm i mirë dhe këta hapa shërbejnë si një motiv shtesë për të punuar më shumë për BE. Agjenda është fokusuar në pesë forma, dhe parashikohet që se deri në fund të viti 2027 Kosova të përfitoj 882 milion euro. Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë për kokë banori”.

“Është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës të hiqen. Përveç se të pa drejta këto masa po dëmtojnë qytetar e Kosovës dhe po dëmtojnë edhe procesin e dialogut.  Heqja e masave është reflektim i nevoja  të qytetarëve, biznese dhe plotësim i parakushteve që BE i kishte vendosur ndaj këtyre masave”, tha Osmani.

Edhe kryeministri Albin Kurti shkroi pas takimit që pati me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen. Kurti tha se në këtë takim të katërt në Qeverinë e Kosovës, ka falënderuar Von Der Leyen për udhëheqjen e saj në avancimin e Planit të Rritjes së BE-së.

“Ne jemi të përkushtuar për zbatimin e këtyre reformave përmes një procesi të bazuar në merita”, shkroi Kurti.

Kryeministri kosovar bëri të ditur se ka theksuar rëndësinë e dorëzimit të pyetësorit për anëtarësim dhe heqjen e menjëhershme të masave të BE-së.

“Unë ritheksova gjithashtu rëndësinë e dorëzimit të pyetësorit për anëtarësim dhe kërkova heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave të padrejta dhe të padrejta të BE-së.Në një kohë kur autokracitë sfidojnë liritë universale, Kosova qëndron si një spirancë e vlerave themelore të BE-së në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Kurti.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërkohë s’garantoi për këtë kërkesë të krerëve të shtetit të Kosovës, duke thënë se duhet ende punë për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

Sipas saj, BE-ja është e përkushtuar që të gjejë hapat e duhur për largimin e tyre dhe për t’i bindur shtetet anëtare.

“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat dhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare – pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për heqjen e masave. Ne të dyja (Von der Leyen & Osmani) jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. E rëndësishme ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka thënë ajo.

Këtë deklaratë, ajo e bëri në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, ku ka theksuar se Kosova ka punuar fort për fuqizimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Sukses të madh, Von der Leyen e ka konsideruar edhe heqjen e vizave për Kosovën, gjë e cila tregon “sa shumë mund të arrijmë kur punojmë bashkë”.

Presidentja e KE-së është duke qëndruar në Ballkanin Perëndimor nga 23 tetori. Së pari ajo vizitoi Shqipërinë ku u takua me kryeministrin shqiptar Edi Rama, dhe mbajti një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë.

Më pas më 24 tetor, ajo u takua me presidentin Bajram Begaj, pas kësaj ajo shkoi për në Maqedoni të Veriut dhe u takua me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

Më 25 tetor, ajo ishte në Serbi dhe do të zhvilloi takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe jo kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, pasi ai u takua me ministrin për zhvillim ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.

Të njëjtën ditë, më 26 tetor, pas Kosovës, Von der Leyen shkoi edhe në Mal të Zi ku u prit nga presidenti malazez Jakov Milatoviq dhe kryeministri Milojko Spajiq.

/GazetaSinjali/