image "Nuk do të ketë individ e grupe më të fortë se shteti"/ Kurti dënon ashpër sulmin ndaj u.d. kryeshefit të 'Trepçës'

Kosovë

“Nuk do të ketë individ e grupe më të fortë se shteti”/ Kurti dënon ashpër sulmin ndaj u.d. kryeshefit të ‘Trepçës’

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dënuar ashpër sulmin ndaj ushtruesit të detyrës së kryeshefit të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani dhe drejtorit të Administratës, Besim Haxhiu, shkruan Gazeta Sinjali.

“Na vjen shumë keq çfarë ka ndodhur, një sulm i organizuar dhe i dhunshëm dhe me këtë rast e dënojmë ashpër këtë sulm të tillë i cili është drejtuar kundër ‘Trepçës’. Si kryeministër i Kosovës, zotohem se nuk do të ketë asnjë individ as grup më të fortë se shteti.”

“Ata të cilët si individë ose grup synojnë ose dëshirojnë të jenë më të fuqishëm se shteti, ata bien ndesh me ligjin dhe kushtetutshmërinë te ne. Jemi republikë dhe demokraci, jemi qeverisje e mirë, andaj ushtruesi i detyrës së shefit, Enis Abdurrahmani, e ka mbështetjen time të plotë bashkë me zotëri Bahriun, kryesues i bordit.”

“Këshilli grevist ka bërë kërkesë që ata të cilët e kanë pësuar dhunën e atij grupi prej dhjetëra njerëzve që nuk dihet ende kush janë të gjithë, këta të cilët i kanë paraqitur deklaratat në polici, t’i tërheqin ato. Nuk iu ka mjaftuar që e kanë sulmuar drejtorin, por me kërkesa që këta tash t’i tërheqin deklaratat, kjo nuk do të ndodhë.”

“Edhe bordi aktual edhe ushtruesi i detyrës së shefit e kanë mbështetjen të ministres Rizvanolli, timen dhe të Qeverisë, edhe punëtorët. Por, i ftojmë që të mos bien pre e një këshilli grevist i cili kërkon që të tërhiqen deklaratat e dhëna në polici”, tha ai para gazetarëve.

Kurti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, viziton sot “Trepçën”, dy ditë pas incidentit që ndodhi në zyrat e kësaj ndërmarrjeje.

Të martën, ish-kryeshefi i “Trepçës”, Rafet Ibishi dhe katër persona të tjerë, B.S., B.I., Sh.R., dhe Z.I., dyshohen se kanë sulmuar fizikisht Abdurrahmanin dhe Haxhiun.

Ibishi dhe katër të tjerët janë arrestuar dhe janë suspenduar nga ndërmarrja.

Ndërkaq, me vendim të prokurorit, ata po mbahen në ndalim policor.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/