Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në referendumin për ndryshime kushtetuese në Serbi dhe votimin e tyre përmes postës.
Sipas tij, nuk mund të ketë referendum në Kosovë, por serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë me postë ose në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë.
“Në një telefonatë me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, përcolla qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë me postë ose në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga asnjë vend demokratik”, shkruan Kurti në Twitter.
Serbia, më 16 janar, do të mbajë referendum për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë.
Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër mbajtjes së referendumit. Kryeministri, Albin Kurti, kishte deklaruar se mbajtja e këtij referendumi edhe në Kosovë është shkelje e ligjit dhe Kushtetutës. Më tutje, ai kishte thënë se Serbia ka planifikuar që ta mbajë këtë referendum në Kosovë në mes të datave të rëndësishme në vend.
“E dimë që Serbia planifikon që të mbajë një referendum në Kosovë më 16 janar për çështje të saj të brendshme por Qeveria e Kosovës nuk është dakord me një synim të tillë. Jo vetëm se kjo është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë por edhe se konsiderojmë që praktikat e mëhershme që i kanë praktikuar qeveritë e mëparshme kanë qenë po ashtu në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës sonë, e sikur kjo mos të mjaftonte kujtojnë që kjo ndodhet në mes të 15 janarit dhe 17 janarit”, pati thënë Kurti.
Ai tha se në mes të këtyre datave është përvjetori i masakrës së Reçakut, përvjetori i vrasjes së Kadri Zekës, vëllezërve Gërvalla. Më 15 janar është përvjetori i masakrës në Reçak që në vazhdimësi e mohojnë zyrtarët e Serbisë deri te presidenti i fqinjit tonë verior. Teksa 17 janari është 40-vjetori i vrasjes së Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla, Bardhosh dhe Jusuf Gërvalla. Po ashtu është edhe katër vjetori i vrasjes së politikanit serb nga Mitrovica Oliver Ivanoviq.
Në ndërkohë e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe ditë më parë njoftuan se e kanë njoftuar Brukselin dhe vendet e QUINT-it për refuzimin e kryeministrit Kurti për ta mundësuar mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.
Më herët, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se është informuar joformalisht se nuk do të lejohet mbajtja e referendumit në Kosovë më 16 janar dhe se do të përpiqet t’i bindë institucionet e Kosovës përmes Brukselit, që t’i lejojnë qytetarët serbë të votojnë.
Serbët, në referendumin e 16 janarit duhet të deklarohen nëse pajtohen me ndryshimin kushtetutës në pjesën ku flitet për mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve./GazetaSinjali/