Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur një seancë plenare ku është miratuar diskutimi për raportin vjetor të punës së ARKEP-it dhe ai për shkarkimin e Bordit të AKP-së, shkruan Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë ka pasur reagime nga deputët e opozitës, teksa shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, shkoi tek foltorja e kryesueses dhe pati tensione me ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Lidhur me këtë, kryeministri Albin Kurti, para deputetëve tha se bordi i AKP-së duhet të shkarkohet për shkak se sipas tij, anëtarit e këtij bordi ishin “paguar për vjedhje”.
“Nuk i lëjmë me vjedh më, kanë vjedhur me paga, me privatizime janë paguar për vjedhje. Dy dekada të pasluftës janë të tjetërsimit përmes privatizimit e kjo duhet të marr fund e me rroga të larta mbase më të lartat në rajon. Kjo është arsyeja pse na nevojitet bordi i ri që mision ka shuarjen e AKP-së. Barra ka qenë tek ata që e kanë kundërshtuar privatizimin, në vend që të jetë tek ata që e kanë kryer privatizimin”, tha Kurti.
“Kemi thënë se AKP duhet të shuhet dhe do të shuhet. Por, që të shuhet AKP-ja është e rëndësishme që njëherë të shkarkohet bordi sepse kanë vjedhur shumë, por ne nuk do t’i lejojmë të vjedhin më. Kanë vjedhur me paga e kanë vjedhur me privatizime. Janë paguar për të vjedhur”, shtoi ai.