image Kurti bëri homazhe në Drenicë: Gjaku i martirëve është dritë e lirisë

Kosovë

Kurti bëri homazhe në Drenicë: Gjaku i martirëve është dritë e lirisë

news image

Kryeministri Albin Kurti filloi ditën duke bërë homazhe në Gllobar, Verboc dhe Shtuticë, në përkujtim të shqiptarëve të vrarë nga këto fshatra dhe zonat përreth, nga forcat policore e ushtarake të Serbisë më 30 prill 1999.

“Para 25 vjetëve janë vrarë 276 shqiptarë, që dëshironin të jetonin të lirë në tokën e tyre stërgjyshore dhe gjaku i tyre është sot dritë e lirisë, është rrënjë e Republikës sonë, për çfarë ne u përkulemi përjetësisht dhe shprehim mirënjohjen tonë për këto familje të dëshmorëve që po qëndrojnë gjithnjë të fortë”, tha kryeministri Kurti.

Pas homazheve në Gllobar, ku nderoi nëntë të vrarët e atij fshati, dhe nderimeve për 60 të vrarët në Verboc, kryeministri vendosi buqetë me lule edhe në fshatin Shtuticë.

Aty, kryeministri Kurti nderoi 76 shqiptarët e vrarë gjatë luftës, ndër ta 32 të vrarë në masakrën e vitit 1999. Në mesin e tyre, dy janë ende të pagjetur.

Duke vlerësuar flijimet kaq të mëdha të popullit në fshatrat Shtuticë, Gllobar, Verboc, Baks, e mbarë Kosovës, ai tha se Kosova jonë demokratike me progres të gjithanshëm që po e forcon sundimin e ligjit, sovranitetin, integritetin territorial, por gjithashtu edhe drejtësinë dhe ekonominë, është dëshmia që ia ka vlejtur sakrifica edhe për çlirim edhe për përparim.

/GazetaSinjali/