image Kurti bën thirrje: Qytetarët që kanë blerë miell më shumë se që iu duhet, ta kthejnë në furrë

Kosovë

Kurti bën thirrje: Qytetarët që kanë blerë miell më shumë se që iu duhet, ta kthejnë në furrë

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar lidhur me shqetësimet e qytetarëve për mungesën eventuale të miellit.

Përmes një konference për medie, Kurti ka thënë se qytetarët duhet të ndjehen të sigurt, siç është sipas tij edhe situata në vend, raporton Gazeta Sinjali.

Ai ka bërë të ditur se përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve e kanë siguruar që Kosova ka rezerva të mjaftueshme të grurit dhe ata që kanë blerë miell më shumë se që duhet, ta dërgojnë atë në furrë.

 “Ka rezerva e rrjedhimisht nuk ka vend për panik. I ftoj qytetarët që të ndjehen të sigurt siç është edhe situata në vendin tonë. Unë i takova përfaqësuesit te Shoqatës së Mullistëve e më siguruan se në Kosovë edhe për dy muaj ka grurë që ende nuk është bluar e në muajin e kaluar kanë bluar grurë për tre muaj. Pra ka grurë 3 muaj plus dy muaj. Qytetarët që kanë blerë më shumë se që ju nevojitet ta çojnë miellin në furrë”, tha Kurti.

Kurti ka folur edhe sa i përket vendimit të Serbisë për të ndaluar eksportin e grurit e miellit ndër të tjera.

“Asnjë kilogram miell nuk përdoret që ka ardhur nga Rusia e Ukraina. Çmimi i grurit në bursën ndërkombëtare është duke u rritur për shkak të luftës, por nuk jemi furnizuar prej atje. Me ministrin Faton Peci, ministren Rozeta Hajdari, do të bëjmë më të mirën përballë sfidave që do të ndodhemi. Ajo çka do të angazhohemi është për një inspektorat. Nuk ka vend për paniku e nuk kemi varësi ekzistenciale nga Serbia”, tha Kurti.

/GazetaSinjali/