Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe pranë lapidarit të ngritur në vendin e rënies së Heroit të Kosovës, Enver Zymeri, në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se të gjithë zyrtarët shtetërorë duhet ta marrin Enver Zymerin si shembull të sakrificës dhe vetëmohimit në shërbim të vendit.
“Është obligim i yni që të gjithë ne, si zyrtarë shtetërorë, t’i marrim këta si shembull për sakrificën dhe vetëmohimin e tyre”, deklaroi Kurti para zyrtarëve policorë të pranishëm.
Ai tha se situata e sigurisë në veri të Kosovës është sot krejtësisht ndryshe, falë sakrificës së Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe pjesëtarëve të tjerë të Policisë së Kosovës.
“Sot gjendja këtu, në veriun e Kosovës, është krejtësisht ndryshe, pikërisht falë Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë kolegëve të tyre, të cilët vendosën sundim të ligjit, paqe dhe siguri për të gjithë, pa dallim”, u shpreh ai.
Kurti përkujtoi se janë bërë 15 vjet nga rënia e Enver Zymerit, ndërsa foli edhe për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, duke thënë se për këtë rast tre persona ndodhen në paraburgim dhe ndaj tyre po zhvillohet proces gjyqësor.
Duke folur për vrasjen e Enver Zymerit, Kurti tha se drejtësia herët ose vonë do të veprojë ndaj urdhërdhënësve dhe autorëve të krimit.
“Për urdhërdhënësit dhe dorën kriminale që e vrau Heroin e Kosovës, Enver Zymerin, drejtësia herët ose vonë do të veprojë, sepse asnjë kriminel nuk do të lejohet të mbetet i pandëshkuar. Prokuroria dhe gjyqësia jonë e kanë mbështetjen tonë, por edhe detyrën e tyre”, deklaroi Kurti.
Gjatë ditës, Kurti bëri homazhe edhe pranë lapidarit të policëve të rënë në krye të detyrës në Prishtinë, si dhe vizitoi familjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që humbën jetën gjatë shërbimit.
Ai nderoi kujtimin e Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë policëve të rënë në krye të detyrës.