Debutuesit e Kupës së Botës 2026, përfaqësuesja e Kuraçaos, janë bërë hit në rrjetet sociale pas një hyrjeje të pazakontë në turne, duke mbërritur në grumbullim me një autobus të vjetër shkolle.
Ndryshe nga kombëtaret e mëdha që udhëtojnë me autobusë luksozë dhe mjete moderne, skuadra nga Karaibet zgjodhi një qasje më modeste, e cila u prit me simpati të madhe nga tifozët në mbarë botën.
Pamjet e publikuara nga mediat sportive tregojnë lojtarët duke udhëtuar me dritare të hapura dhe muzikë të lartë, një skenë që u përshkrua si “e papërsëritshme” nga Sports Illustrated FC, duke u shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale.
Kjo paraqitje ka shtuar edhe më shumë vëmendjen ndaj Kuraçaos, që këtë vit po shkruan historinë me pjesëmarrjen e parë në një Botëror.
Megjithatë, sfida sportive për debutuesit pritet të jetë e madhe, pasi ata janë vendosur në një grup shumë të fortë së bashku me Gjermaninë, Ekuadorin dhe Bregun e Fildishtë.
Pavarësisht vështirësive në fushë, Kuraçao ka fituar tashmë simpatinë e tifozëve për mënyrën e thjeshtë dhe autentike të përjetimit të momentit historik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!