Dy zëvendëskryeministrat e Kosovës, Donika Gërvalla dhe Besnik Bislimi, e shumë përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje, janë vënë në mbrojtje të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, pasi ky i fundit po kritikohet shumë për menaxhimin e pandemisë, kur shifrat e viktimave e rasteve të reja po rriten.
Por kur LVV ishte në opozitë, e numri i viktimave nga koronavirusi ishte i lartë në kohën e Qeverisë Hoti, kërkohej shkarkimi i ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë, Armend Zemajt.
Hajrulla Çeku i cili sot mban pozitën e ministrit të Kulturës, më 7 korrik të vitit 2020 pyeste: “Edhe sa njerëz duhet të vdesin që të shkarkohet Armend Zemaj? Dorëheqje nuk mund të presim prej tij, sepse dorëheqja është akt moral”.
Dje, ministria e Shëndetësisë njoftoi edhe për 16 vdekje dhe 2.098 raste të reja.
Numri i rasteve aktive në Kosovë mbetet i lartë, gjatë 24-orëve të fundit ka arritur në 25.407 persona.
Në spitalet e Kosovës, 55 pacientë me koronavirus janë në gjendje të rëndë shëndëtësore, njoftoi të premten Shërbimi Spitalor dhe Klinik Univeristar i Kosovës