image Kundërofensiva ukrainase, Zelensky: Këtu nuk ka vend për pushtuesit

Botë

Kundërofensiva ukrainase, Zelensky: Këtu nuk ka vend për pushtuesit

news image

Janë publikuar pamjet e para të ushtrisë ukrainase që hyjnë në Iziumin e liruar në provincën e Kharkivit pas zmbrapsjes së forcave ruse.

Kjo ishte humbja më e madhe e ushtrisë ruse deri më tani që kur forcat e Putin u detyruan të largoheshin nga Kievi.

Që nga fillimi i kundërofensivës të nisur në këtë fillim muajt,  ushtria ukrainase ka liruar rreth 2 mijë kilometra katror sipërfaqe të pushtuar.

“Avancimi ushtarëve tanë vijon në disa drejtime. Ushtria ruse këto ditë ka treguar aftësitë e saj për t’u larguar dhe në fund kjo nuk është një zgjidhje e keqe për ta. Nuk ka vend për pushtuesit në Ukrainë dhe kurrë nuk do të ketë”, tha Zelensky.

Pas largimit nga Izium, forcat ruse lanë pas municione. Ushtria ruse e përdorte Izium si një bazë logjistike. Ndërkohë me anë të një videoje ministria e mbrojtjes ruse deklaroi se ishte duke tërhequr trupat nga Izium dhe Balaklia me qëllimin rigrupimin e tyre.

“Për të arritur qëllimet e operacionit ushtarak special dhe për të liruar Donbasin u vendos që forcat e dislokuara në rajonet e Izium dhe Balaklia të rigrupohen”, tha zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes Ruse.

Përmes një video të shpërndarë nga forcat ukrainase shikohen ushtarët që ngrinë flamurin në qendër të qytetit të Balaklia duke premtuar se kundërofensiva do të vijojë.

/GazetaSinjali/