Shqipëria ka përjetuar këtë të hënë ditën më të nxehtë të vitit, ndërsa vala e të nxehtit afrikan ka sjellë temperatura ekstreme në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave meteorologjike, në Tiranë termometri ka shënuar deri në 45 gradë Celsius në diell gjatë orëve të mesditës. Vlerat më të larta janë regjistruar në qarkun e Beratit, ku temperatura ka arritur 47 gradë në diell dhe 42 gradë në hije.
Meteorologët parashikojnë se të martën do të ketë një ulje të lehtë të temperaturave, megjithatë niveli i lartë i lagështisë pritet të bëjë që ndjesia e vapës të mbetet e fortë.
Nga dita e premte pritet një freskim më i dukshëm i motit, i shoqëruar edhe me reshje lokale shiu dhe rrebeshe në disa zona të vendit. Megjithatë, kjo periudhë me temperatura më të ulëta nuk pritet të zgjasë shumë, pasi sinoptikanët paralajmërojnë rikthimin e një tjetër vale të nxehti me origjinë afrikane.
Ekspertët theksojnë se episode të tilla me temperatura ekstreme po bëhen gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike, të cilat kanë rritur ndjeshëm numrin e ditëve dhe netëve me temperatura të larta në Shqipëri.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!