Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, u takua me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Berlin më 15 maj. Ai tha se “më shumë armë dhe ndihmë tjetër është nisur drejt Ukrainës”.
Kuleba pritet të informojë ministrat e Jashtëm të NATO-s gjatë takimit në Berlin lidhur me situatën në Ukrainë dhe se si aleanca ushtarake mund ta ndihmojë më tej shtetin e tij i cili po lufton me forcat ruse, qëkur Moska nisi pushtimin më 24 shkurt.
“Ne u pajtuam të punojmë së bashku që të sigurohemi se eksportet ukrainase të arrijnë te konsumatorët në Afrikë dhe Azi. Mirënjohës ndaj sekretarit Blinken dhe SHBA-së për lidershin dhe mbështetjen e palëkundur”, shkroi Kuleba në Twitter.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se Blinken dhe Kuleba kanë biseduar për ndikimin e pushtimit rus, përfshirë edhe për sigurinë ushqimore të botës.
“Sekretari i ofroi detaje lidhur me ndihmën e fundit amerikane të sigurisë që ka për qëllim të rrisë mbrojtjen e Ukrainës”, tha Price, shkruan REL.
Më 11 maj, Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar një pako të re të ndihmës amerikane për Ukrainën. Pakoja e re, që është në vlerë prej 40 miliardë dollarësh, është e përqendruar në ndihmë të ushtrisë ukrainase dhe ekonomisë së këtij shteti.