Me rastin e ndarjes nga jeta të profesorit të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës Binak Kastrati, është mbajtur një mbledhje komemorative, me ç’rast u tha se emri i tij do të jetë simbol për gjinekologjinë dhe obstetrikën në Kosovë.
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, tha se kontributi i profesorit Kastrati është i shumë i çmuar për Fakultetin e Mjekësisë, ku tha se me dijen e tij ka shkolluar gjenerata të tëra.
Dema tha se ndarja nga jeta e profesorit Kastrati është humbje jo veç për familjen, po edhe për të gjithë ata që e njohën.
“Puna e tij do të jetë udhërrëfyes e përhershme për ngritjen tutje të këtij institucioni lider të dijes në hapësirën shqipfolëse kudo. Profesor Kastrati pusho i qetë”, tha ai.
Në emër të Fakultetit të Mjekësisë, foli prodekani për çështje shëndetësore Ibrahim Rudhani, i cili foli për jetën dhe karrierën e tij.
Ai tha se ndarja nga jeta e profesorit Binak Kastrati është një humbje shumë e madhe për Fakultetin e Mjekësisë.
“Gjatë vitit 68-69 ishte deputet ose delegat i Kuvendit të Kosovës ku bashkë me disa delegatë të tjerë iniciojnë hapjen e fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe në vitin 1973 transferohet ose punësohet në Klinikën e Gjinekologjisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë. Studimet pas diplomike i regjistroi në Universitetin e Beogradit dhe doktoroi në vitin 1985 në Prishtinë, në këtë kohë zgjidhet edhe profesor i kësaj lënde, më pas avancohet në profesor në Fakultetin e Mjekësisë. Është nënshkrues i apelit të 215 intelektualëve të Kosovës. Kallëzoi kontribut të pa harruar në ambulancën Nënë Tereza ku u kryen mbi 13 mijë lindje dhe 1 mijë ndërhyrje kirurgjike falas. Gjatë luftës së UCK-së u angazhua në organizimin e ekipeve mjekësore për kujdesin e popullatës dhe të të plagosurve”, tha Rrudhani.
Për profesorin Binak Kastrati, në emër të tij dhe të drejtorit të ShSKUK-së foli edhe drejtori i Klinikës së gjinekologjisë Jakup Ismajli, i tha se emri i tij do të mbetet simbol në historinë e Obstetrikës dhe gjinekologjisë së Kosovës.
Po ashtu, ai tha se do të mbetet simbol edhe si atdhetar i çështjes kombëtare.
“Emri i profesor Binakut do të mbetet simbol në historinë e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë së Kosovës. Kontributi i tij ka qenë i rëndësishëm në vitet kur mjekësia në vendin tonë ka qenë në fillet e zhvillimit profesional, edukativ dhe arsimor. Aq më tepër veprimtaria e profesorit të ndjerë duhet të vlerësohet lartë edhe për kohën në të cilën ka vepruar, kohë kjo nën okupimin e një regjimi të egër për shqiptarët dhe sidomos për kuadrot dhe intelektualët si profesor Binaku. Kontributi i profesor Binakut për UP-në ishte shumë i çmuar, andaj profesor Binaku u afirmua si një profesor i shkëlqyeshëm, ekspert i mirënjohur dhe punëtor i palodhur. Përveç si profesionist i mirënjohur, profesori i shkëlqyer kishte edhe virtyte të larta humane”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Gjinekologëve dhe mik i profesorit, Shefqet Lulaj, tha se pjesëmarrja e një numri të madh të shokëve, kolegëve, studentëve në varrimin e profesorit Kastrati tregon për veprën dhe jetën e tij.
“Kontribuoi më shumë përkushtim dhe sukses në mbrojtjen e shëndetit të grave dhe nënave, fëmijëve në spitalin atëherë të përgjithshëm të Pejës. Ishte nevojë e domosdoshme hapja e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, prandaj ai u kthye me plot vullnet, me plot energji në vitin 73 në Klinikën e Gjinekologjisë me Obstetrikë dhe iu bashkëngjit kolegëve mësimor në fakultetin e Mjekësisë fillimisht si asistent dhe pastaj kur ka doktoruar për një sëmundje kur edhe unë isha prezent aty çdo e dyta grua që vuante vdiste në Klinikën tonë”, tha ai.
Për mikun e saj, profesorin Binak Kastrati, foli edhe profesoresha Lumturije Gashi, e cila u shpreh se humbën një mik të jashtëzakonshëm.
“E humbëm një mik, koleg, bashkëpunëtor dhe një njeri të jashtëzakonshëm”, tha ajo.
Në emër të familjes së profesorit Binak Kastrati, foli e bija e tij Sabrije Kastrati-Lumi, e cila tha se dhimbjen po e kalojnë më lehtë duke qenë se për të kanë vetëm kujtime të mira.
“Për ne ka qenë babai më i mirë në botë, mbi të gjitha ka qenë i dashur po njëkohësisht edhe shumë i rreptë në edukatën ndaj neve. Për të virtytet si janë nderi, burrëria, drejtësia, dinjiteti, krenaria dhe besa kanë qenë më të larta se interesat personale. Si fëmijë ishim të mësuar që babin ta ndajmë me pacientët, me Klinikën, Fakultetin e Mjekësisë, Universitetin, po edhe në rastet shumë të shpeshta edhe me problemet e familjarëve. Jeta e tij ka qenë në shërbim të idesë së mbijetesës së shqiptarëve në këto troje”, tha ajo.
Ajo tha se babai i saj ka qenë bashkëpunëtor i afërt i Anton Çettës dhe presidentit të parë të Kosovës Ibrahim Rugova.
Profesori Binak Kastrati ka vdekur me 1 janar të këtij viti.