Nëse nuk e bëni “check in online” së paku tre orë para fluturimit me kompaninë “Wizzair”, do të detyroheni të paguani 40 euro për person. Kjo formë e sofistikuar e mashtrimit nga kjo kompani është denoncuar në redaksinë e Gazetës Sinjali nga së paku tre udhëtarë.
Sipas tyre, kompania “Wizzair” po i detyron të bëjnë këtë pagesë dy orë para orarit të caktuar të fluturimit, edhe pse me “vërtetimin” që e marrin udhëtarët që paguajnë nuk mund të kalosh askund.
Raste të tilla kanë ndodhur edhe sot, në Aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku shumë udhëtarë janë ndëshkuar duke paguar këtë shumë të parave për diçka të pavlerë.
Përveç çmimeve të biletave, që jo rrallëherë shumëfishohen, e sidomos gjatë sezoneve të pushimeve, ku udhëtarët paguajnë shuma të majme, “Wizzair” ka gjetur këtë formë për t’i vjelur xhepat e atyre udhëtarëve të cilët, nga mungesa e njoftimit adekuat dhe të qartë, nuk bëjnë ‘check in online’ para fluturimit.
Ky ‘check in online’ nuk sjell asnjë dobi për udhëtarët sepse ata sërish duhet të presin në rend për të bërë ‘check in’ në sportelin e dedikuar për këtë, duke përfituar kështu vetëm kompania.
Njëri nga stafi i agjencive në Aeroport në kushte anonimiteti tha për Sinjalin se këtë që po e bën “Wizzair”, s’e bën askush dhe kjo është mënyrë e tyre për kapur “ndonjë lek më shumë nga udhëtarët”.
Letra që merr udhëtari në këmbim të 40 eurove pagesë nuk ka absolutisht vlerë, tha sinjalizuesi, teksa shtoi se në rend për të “kontribuuar” në buxhetin e kësaj kompanie po presin një numër i madh udhëtarësh.
“Wizzair nuk është vetëm çmim i arsyeshëm por edhe ndëshkim i padrejtë, ndaj bëni kujdes se mund të mashtroheni lehtë”, ishte paralajmërimi i tij.
Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të kësaj kompanie, për të marrë një prononcim se cila është logjika e kësaj “gjobe” që po detyrohen të paguajnë udhëtarët.