image Kujdes: 100-shet e 500-shet e falsifikuara po qarkullojnë me të madhe në Kosovë

Siguri

Kujdes: 100-shet e 500-shet e falsifikuara po qarkullojnë me të madhe në Kosovë

news image

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar është ajo prej 100 euro. Sinjali ka mësuar për disa raste të tilla për të cilat Prokuroria është vënë në dijeni.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë të ditur se njëri nga rastet është raportuar në Viti, ku një klient ka bërë pagesë me një 100-she që dyshohet të jetë e falsifikuar. Pronari i biznesit e ka denoncuar rastin, teksa kanë nisur edhe hetimet.

Më së shumti raste të tilla raportohen në Prishtinë. Njëjtë ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme, kur zyrtarja e Bankës Ekonomike ka njoftuar Policinë për një kartëmonedhë prej 50 euro, që është deponuar nga një person dhe dyshohet se është fals.

Ndërkohë që dy raste të tilla janë raportuar edhe në rajonin e Mitrovicës, një në bankën NLB në këtë qytet dhe tjetri në Vushtrri, në bankën Pro Credit.  Sinjali mëson se zyrtarët e këtyre bankave kanë denoncuar se kanë pranuar 100-she e 500-she që dyshohen të jenë fals.

Kartëmonedhat të cilat dyshohet se janë fals janë konfiskuar nga Policia si dëshmi materiale për të hetuar se si po vihen në qarkullim.  

Sipas burimeve të Sinjalit, kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.

Kujtojmë se falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

/GazetaSinjali/