Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Të shqetësuar për fatin e tyre, ata raportojnë rastet në Polici, me shpresën se do të marrin informacione për vendndodhjen e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në Ferizaj, ku një vajzë 13-vjeçare ishte larguar nga shtëpia dhe nuk dihej asgjë për vendndodhjen e saj, për dy netë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se vajza e raportuar e zhdukur tashmë është rikthyer në shtëpinë e saj dhe është paraqitur bashkë me prindin në Polici.
Sinjali mëson se e mitura ka dhënë deklaratën e saj lidhur me rastin dhe para hetuesve policorë ka bërë me dije ndër të tjera se ka qëndruar me disa persona, të cilët i kishte takuar rrugës dhe kishte shkuar me ta në një villë.
Pas ekzaminimeve të kryera nuk janë vërejtur shenja të dhunës apo keqtrajtimit dhe gjendja e saj shëndetësore është e mirë.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për ndriçimin e rastit.