Majori Alban Ramushi është kthyer në pozitën e komandantit të Stacionit Policor në Gjilan, pak kohë pasi ishte suspenduar pas tragjedisë që e tronditi vendin, kur policja Valdete Bllaca, kishte vrarë katër anëtarët e familjes e më pas edhe vetën me armë zyrare të cilën e kishte marrë nga sirtarët e Stacionit Policor të Gjilanit.
Me majorin Ramushi, në punë janë kthyer edhe Naser Rrahmani, zëvendëskomandant i Stacionit dhe Negovan Mihajloviq, shef i Operativës dhe Xhavit Azizi, staf civil.
Ata janë kthyer në punë me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, pasi Prokuroria e Shtetit dhe Inspektoriati Policor i Kosovës kanë konkluduar se nuk ka elemente të veprës së keqpërdorimit të pozitës zyrtare, me të cilën ngarkoheshin.
Gjatë ditës, komandanti Alban Ramushi ka qenë i pranishëm në takimin e Qendrës Operative Emergjente të Gjilanit, e cila tash e një muaj po funksionon bashkë me të gjitha institucionet lokale dhe rajonale kundër përhapjes së virusit COVID-19.
Ndryshe, deri tani pozitën e komandantit të Stacionit Policor në Gjilan e ka ushtruar majori Agim Lipovica. /Gazeta Sinjali/