Vajza 9-vjeçare nga Podujeva, e cila u gjet nga policia kufitare serbe në Merdare sot u është kthyer gjyshërve të saj të cilët do të përkujdesen për të. Lajmin është konfirmuar nga Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.
“E mitura është riatdhesuar në Kosovë. Krejt në rregull, në përkujdesje dhe kujdestari të gjyshërve”, thanë nga kjo zyrë për Periskopin.
Katër ditë më parë u raportua për rastin e saj, ndërsa deri sot ajo po qëndronte në njërën nga Qendrat për Punë Sociale në Serbi.
Daja i saj kishte tentuar ta nxirrte nga Kosova në Serbi përmes pikës kufitare në Merdare. Mbesën e tij (vajzën e motrës) e kishte futur në bagazh, saktësisht në vendin e destinuar për gomën rezervë të veturës, ku edhe u gjet nga policia serbe.
Mediet serbe raportuan se vetura në të cilën po fshihej vajza ishte me targa të Gjermanisë ndërsa po drejtohet nga një burrë 42 vjeç.
Gjatë inspektimit të rregullt, ata thanë se nuk kishin asgjë për të raportuar, por oficerët doganorë gjetën një vajzë 9-vjeçare shqiptare të fshehur te vendi për gomën rezervë. Më pas policia gjeti në veturë dokumentet e vajzës, e cila është nga Podujeva.
9-vjeçarja ishte nisur në Gjermani për t’u bashkuar me nënë e saj. Vajza kishte katër vite që po tentonte të siguronte dokumentet por të gjitha tentimet kishin dështuar.