Sot, në përvjetorin e 23-të të masakrës së 26 marsit në Krushë të Vogël dhe në rivarrimin e shtatë viktimave të kësaj masakre, kryetarja e fshatit, Shpresa Shehu, ka përkujtuar e nderuar 112 martirët e fshatit, të cilët forcat serbe i zhdukën pa gjurmë.
Ajo tha se ende jetojnë me plagët e thella për identifikimin e më të dashurve të tyre, teksa dhimbja është e madhe e pritja është e rëndë.
“Muaji mars është muaj i qëndresës për popullin shqiptar. Marsi i masakrave më çnjerëzore që njeh historia e njerëzimit. Marsi i sakrificës ku familje të tëra i rezistuan terrorit që kurrë të mos i nënshtrohemi okupatorit”, ka thënë kryetarja Shehu.
Tutje, ajo kujtoi ditën e 25 marsit, kur nëntë burra nuk i lëshuan shtëpitë e tyre e për këtë forcat serbe i vranë ata, ndërsa më 26 mars paramilitarët serbë bashkë me serbët vendas, 109 meshkuj me dhunë e torturë i futën në një shtëpi, ku i vranë e i masakruan e në fund e dogjën shtëpinë, teksa shtoi se pas kthimit nga Shqipëria, u vra edhe një 12-vjeçar nga minat që kishin vendosur serbët në fshat.
“Çdo vit, hapja e varreve hap plagë, shkakton dhimbje por më e madhe është dhimbja duke pritur se kur do të vijë ajo ditë që do të identifikohen më të dashurit tanë që janë të pagjetur, gjaku i të cilëve na bën dritë e ne frymojmë të lirë”, ka thënë Shehu.
Më tej, ajo u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të angazhohen maksimalisht që të zbardhet e vërteta për të zhdukurit.