image Kryetari i Zveçanit do ta ushtrojë detyrën nga fshati Lipë, Peci: Do t'u ofrojmë qytetarëve të gjitha shërbimet pa dallim

Politikë

Kryetari i Zveçanit do ta ushtrojë detyrën nga fshati Lipë, Peci: Do t’u ofrojmë qytetarëve të gjitha shërbimet pa dallim

news image

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci, bënë të enjten betimin në pozitat e tyre.

“Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet”, tha Zeqiri.

“Do të shkojmë në komunë të Zubin Potokut. Të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti [i komunës]”, tha ai pas betimit.

Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka konfirmuar të enjten se do ta ushtrojë detyrën si udhëheqës i Komunës nga objekti i zyrës së komuniteteve që gjendet në fshatin Lipë.

Në paraqitje për media pas betimit si kryetar, Peci ka thënë se nuk varet prej tij se kur do të kthehen në objekt komunal.

“Detyrën do ta ushtroj nga zyra e komuniteteve në fshatin Lipë. Nuk është çështje që varet prej meje se kur do të kthehemi në objektin komunal. Qeveria qysh vendos, ne bëjmë”, ka thënë ai.

Sipas Pecit, për momentin nuk po diskutohet kthimi në objektiv komunal. “Por jemi në bisedime”, ka shtuar ai, të cilit fillimisht iu pengua fjalimi pranë varrit të heroit Isa Boletini, por më pas u lejua të paraqitej para mediave.

Peci u betua sot si kryetar i Zveçanit në shkollën fillore “Isa Boletini” në fshatin Boletin. Ai fitoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 23 prill në katër komunat veriore, që u bojkotuan nga serbët.

/GazetaSinjali/