image Kryetari i Klinës thotë se nuk kanë mjete për t'u mbrojtur nga koronavirusi: Deri tash ndihma nga niveli qendror është zero

Kosovë

Shëndetësi/ Kryetari i Klinës thotë se nuk kanë mjete për t’u mbrojtur nga koronavirusi: Deri tash ndihma nga niveli qendror është zero

news image

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj ka thënë se nuk kanë pajisje për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Elezaj në një prononcim për Gazetën Sinjali ka deklaruar se vendimi për izolim të Klinës është marrë nga ministri Arben Vitia pa u konsultuar me të.

Ai ka thënë se stafi shëndetësor dhe i sigurisë nuk kanë mjete mbrojtëse, pasi sipas tij qeveria nuk i ka furnizuar.

“Qyteti është i furnizuar mirë në kuptim të gjërave ushqimore, ndërsa shqetësimi është në drejtim të mos interesimit të qeverisë për të na furnizuar me mjete mbrojtëse, duke filluar nga stafi shëndetësor pastaj organet e sigurisë, komplet janë zero. Mbrëmë kam biseduar me ministrin e Shëndetësisë dhe më ka premtuar se që sot do të ketë lëvizje”, ka thënë Elezaj për Gazetën Sinjali.

Ai më tej ka thënë se izolimi është në funksion të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

“Jo, paraprakisht nuk është konsultuar, por që besoj që është në funksion të izolimit të virusit dhe ne kemi qenë në të njëjtat ideja, por unë e kam prit vendimin e qeverisë që të mbyllen lokalet, restorantet”, është shprehur ai.

Mbrëmë, Qeveria pas dy rasteve të konfirmuara me koronavirus në Kosovë, ka marrë vendim që t’i ndalojë hyrje-daljet në komunat e Klinës dhe Vitisë, ku edhe kanë banuar dy personat e infektuar. /Gazeta Sinjali/