Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj është shpallur fajtor për të dytën herë për veprën penale “Konflikt interesi”.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, e cila njoftoi se Elezaj është dënuar me 4 mijë euro gjobë.
Elezaj u dënua për shkak se në vitin 2018 kishte ndikuar që vajza e tij të punësohej në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në komunën ku ai e udhëheq.
Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme” në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.
Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e Elezajt, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.
Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që ka të bëjë me ndonjë anëtar të afërm të familjes./GazetaSinjali/