Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka pranuar se mediumi nuk i kishte njoftuar lexuesit se emri “Lule Gjeli” ishte pseudonim, kur publikoi më 27 gusht 2020 opinionin “Modeli i fshehur që mund të jetë në tavolinën e marrëveshjeve Kosovë-Serbi”.
I ftuar në emisionin “Rubikon”, Gashi tha se redaksia kishte vendosur ta publikonte shkrimin me pseudonim për shkak se, sipas tij, autorit mund t’i rrezikohej vendi i punës.
“Kemi konsideru që i rrezikohet vendi i punës”, deklaroi ai.
Në kohën e publikimit, emri “Lule Gjeli” ishte paraqitur si identitet i zakonshëm i autorit, pa asnjë shënim që bëhej fjalë për pseudonim ose se identiteti i vërtetë ishte i njohur për redaksinë, por po mbahej i fshehtë për arsye sigurie apo profesionale.
Opinioni ishte shoqëruar edhe me një përshkrim profesional të autorit, pa u bërë e ditur se emri i përdorur nuk ishte identiteti i tij i vërtetë.
Vetëm pas zhvillimeve të fundit, KALLXO.com pranoi publikisht se “Lule Gjeli” kishte qenë pseudonim dhe se redaksia e njihte identitetin e autorit, por bëri të ditur se nuk do ta publikojë atë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!