image Kryeprokurori i Prizrenit në 'betejë' për ta rehatuar gruan në pozitën e Prokurores së Shtetit

Drejtësi

Kryeprokurori i Prizrenit në ‘betejë’ për ta rehatuar gruan në pozitën e Prokurores së Shtetit

news image

Fenomeni për të kapur pozitat e prokurorëve nga ana e familjarëve të prokurorëve, kryeprokurorëve, krerëve dhe ish krerëve të sistemit të drejtësisë në Kosovë po vazhdon. Në konkursin e fundit për prokurorë, i kanë hyrë garës mbi 400 kandidatë për 28 vende të lira. Mes tyre janë zbuluar emra të fëmijëve e familjarëve të tjerë të prokurorëve e kryeprokurorëve, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar se në ‘betejën’ për t’ia siguruar bashkëshortes pozitën e prokurores së shtetit, është futur edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala.

Gruaja e Shalës, Majlinda Shala, është njëra ndër kandidatet që ka plotësuar kushtet për të marrë pjesë në konkursin e shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për prokurorë të rinj.

Kryeprokurori Shala siç duket po synon ta rehatojë bashkëshorten në këtë pozitë, gjë të cilën nuk e ka komentuar, përveçse e ka konfirmuar për Sinjalin se ajo është në garë për prokurore të shtetit.

Majlinda Shala aktualisht është bashkëpunëtore profesionale në Gjykatën Themelore në Prizren, pozitë kjo në të cilën dyshohet se ishte avancuar nga pozita e zyrtares ligjore, në kohën kur miku i burrit të saj, Artan Sejrani po ushtronte pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të kësaj gjykate.

Ndryshe, kandidatja Shala dhe 421 kandidatët e tjerë pritet t’i nënshtrohen pjesës së parë të provimit, në më pak se 10 ditë.

Ky konkurs ishte shpallur më 15 janar të këtij viti, por Këshilli Prokurorial nuk kishte arritur ta mbajë testin, deri më 19 maj, kur edhe është caktuar si datë për testin kualifikues.

Ata që e kalojnë testin kualifikues, do t’i nënshtrohen edhe testit me shkrim dhe intervistës me gojë dhe nëse janë të suksesshëm në këto tri procese, emrat e tyre dërgohen për dekretim te Presidentja e Kosovës.

/GazetaSinjali/