Para takimit me presidentin serb, kryeministri Kurti ka pranuar një letër të përbashkët nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.
ZKM ka publikuar edhe letrën, ku përmendet edhe çështja e asociacionit.
Përmes kësaj letre, tre liderët evropianë i kanë kërkuar Kurtit, por edhe Serbisë, që t’i zbatojnë marrëveshjet për të cilat janë zotuar- përfshirë edhe marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për krijimin e asociacionit.
“Ne i mirëpresim deklaratat e fundit publike, që pohojnë se jeni gati ta pranoni propozimin evropian për një marrëveshje bazë. Ne besojmë se tani është urgjente të vendoset rruga përpara me synimin për të përfunduar këtë marrëveshje dhe për të siguruar zbatimin e saj në bazë të tekstit për të cilin keni rënë dakord.
Në konkluzionet e tij të datës 9 shkurt, Këshilli Evropian shprehu mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë, plotësisht dhe pa kushte, detyrimet për të cilat janë zotuar në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 të krijohet një asociacion/bashkësi e komunave me shumicë serbe.
Hapat për zbatimin që janë përpara duhet të pasqyrojnë këtë qasje politike, duke siguruar që marrëveshja bazë dhe detyrimet e pazgjidhura të dialogut të adresohen në mënyrë adekuate pa vonesë. Ne presim që të diskutohen gjatë takimit të dialogut të nivelit të lartë”, thuhet në letër.