Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti për herën e katërt në po aq vite, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Temat qendrore të këtij bashkëbisedimi që u zhvillua vetëm pak ditë pas miratimit nga ana e Komisionit Evropian të Agjendës së Reformave të Kosovës, në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, ishin zbatimi dhe përfitimet për Kosovën dhe qytetarët e saj nga kjo agjendë e reformave, marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, bashkëpunimi rajonal dhe procesi integrues i Kosovës në familjen evropiane.
Kryeministri Kurti i shprehu mirënjohjen e tij presidentes von der Leyen për përkushtimin e saj ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, që dëshmohet nga vizitat dhe takimet e shpeshta gjatë udhëheqjes së saj dhe avokimi i zëshëm për integrim të plotë të rajonit në Bashkimin Evropian.
“Urime për mandatin tuaj të ri. Ne llogarisim shumë në udhëheqjen tuaj, si në zgjerimin e Bashkimit Evropian ashtu edhe në fuqizimin e tij në skenën botërore”, tha kryeministri Kurti në fillim të takimit.
Duke folur për Agjendën e Reformave të Kosovës, kryeministri theksoi se ajo ka pesë fusha prioritare, parasheh 30 reformave dhe 111 hapa për të adresuar çështjet kryesore të ekonomisë sonë, që përfshijnë sigurinë energjetike, punësimin, tërheqjen e investimeve të huaja dhe formalizimin e punës dhe ekonomisë. Ai tha se jemi të gatshëm e të përkushtuar që sa më parë të zbatojmë reformat edhe të përfitojmë sa më shumë nga mbështetja financiare në dispozicion që arrin vlerën prej 882 milionë euro.
Në këtë takim, kryeministri ritheksoi rëndësinë e largimit të plotë dhe të menjëhershëm të masave ndaj Kosovës dhe marrjen e statusit kandidat të Bashkimit Evropian, si meritë që reflektohet në angazhimin e palëkundur të Kosovës për integrim evropian dhe reforma, dhe zhvillimin ekonomik e progresin demokratik që ka shënuar viteve të fundit.