image Kryeministri slloven: Ushtria ruse s’do të mund ta pushtojë kurrë kryeqytetin ukrainas

Botë

Kryeministri slloven: Ushtria ruse s’do të mund ta pushtojë kurrë kryeqytetin ukrainas

news image

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa, pas kthimit të tij nga Ukraina ka folur për mediat sllovene, ku ka treguar për situatën në Kiev dhe ka thënë se në bazë të asaj se çfarë ka parë, ushtria ruse s’do të mund ta pushtojë kurrë kryeqytetin ukrainas.

Ai ka thënë se vizita e tij bashkë me kryeministrin polak Mateusz Morawiecki dhe atë çek Petr Fiala, ishte inkurajuese për udhëheqjen ukrainase, shkruan “Jutarjni.hr”.

Sipas tij, sulmet në qendër të Kievit janë relativisht të rralla dhe qyteti nuk është i rrethuar.

Kryeministri tutje tha se “Kiev po sulmohet nga lindja dhe perëndimi, por forcat që sulmojnë qytetin janë shumë të dobëta për ta pushtuar atë. Ushtria ruse nuk do ta pushtojë kurrë Kievin”.

Ai po ashtu ka thënë se mund të ketë shumë krahasime midis agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe agresionit të Ushtrisë Popullore Jugosllave kundër Sllovenisë.

“Sa i përket ideologjisë, moralit, gatishmërisë për të sakrifikuar jetën për këtë konflikt ushtarak, është shumë e ngjashme me kohën kur sulmuan Slloveninë. Rekrutët rusë që janë robër lufte në Ukrainë flasin në mënyrë të ngjashme për NATO-n. Ata besojnë se janë në konflikt me agresorin, me NATO-n dhe jo me popullin vëllazëror” ka thënë kryeministri slloven.

Jansa gjithashtu u shpreh i bindur se morali është i ulët edhe në fushat e betejës, sepse ushtria ruse nuk ka bërë përparim të dukshëm javën e fundit.

/GazetaSinjali/