Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër pas incidentit me armë zjarri që ndodhi në Prishtinë, ku mbetën dy të vrarë dhe dy të plagosur rëndë.
Këtë konflikt të armatosur Haradinaj e quajti ngjarje makabre dhe kërkoi nga organet e drejtësisë që sa më parë t`i zbardhin motivet e vrasjes si dhe dorasit ta marrin dënimin e merituar.
Por, nuk mund të anashkalohet pa u kujtuar se vetë Haradinaj, me të marrë mandatin si kryeministër i vendit në vitin 2017, në një prononcim publik për mediat e Kosovës, duke arsyetuar armëmbajtjen e anëtarëve të kabinetit të tij dhe të shtënat me armë zjarri nga ta, ai është përgjigjur:
“Nuk ka ushtar të UÇK-së që nuk ka allti pa leje. Për mua nuk përbën ndonjë problem, është diçka normale. E kisha bë ligjin si në Amerikë, nëse të gjen pa allti në shokë, me të dënu. Unë i kam disa pikëpamje të miat”, ka thënë ai.
“Nëse Policia e Kosovës e ndalon ndonjë qytetar të Republikës së Kosovës dhe nuk i gjen ndonjë armë në brez, automatikisht duhet ta gjobis atë (qytetarin), pati deklaruar Haradinaj.
Kujtojmë se më 16 qershor të këtij viti kryeministri ka marrë pjesë në një aheng në bjeshkën e Belles të Deçanit, ku janë përdoruar armë dhe janë shkrepur mijëra fishekë në prani të policisë, për të cilin rast ka raportuar ekskluzivisht gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë rast prokuroria e shtetit nuk ka ndërmarrë ende asgjë.
Në një rast tjetër kryeminsitri Haradinaj, kishte deklaruar se qitja me armë është traditë shqiptare e mbështetur në kanun.
Vetë qeveria Haradinaj, më 23 nëntor të vitit 2018 me anë të një vendimi, shpalli periudhën e legalizimit të armëve nga data 17 dhjetor 2018 deri më 17 qershor 2019.
Por ky plan qeveritar për legalizimin dhe konfiskimin e armëve pa leje, po del të jetë i pasuksesshëm, pasi në duart e qytetarëve konsiderohen të jenë me mijëra armë pa leje.
Për pasojë kemi me qindra raste të plagosjeve e gjithashtu edhe një numër të konsiderueshëm të viktimave në njerëz, siç është edhe rasti i sotëm që ndodhi në Prishtinë, ku u vranë dy persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë./Sinjali/