Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, e ka kaluar natën e dytë në repartin e kujdesit intensiv, dhe ndodhet në gjendje stabile.
Raportohet se shefi i qeverisë britanike është duke marrë frymë pa ndihmën e pajisjeve mjekësore dhe është me vetëdije. Ai po trajtohet në spitalin “Saint Thomas” në pjesën qendrore të Londrës, shkruan “The Guardian”.
Ministri i jashtëm, Dominic Raab, i cili është ngarkuar përkohësisht edhe me detyrat e kryeministrit, tha dje se shefi i tij do t’ia dalë mbanë. Megjithatë, ende nuk dihet se për sa kohë do të mbetet kryeministri në spital.
Qeveria tha se nevojitet pajtueshmëri e kabinetit për marrjen e ndonjë mase në lidhje me karantinën dhe paralajmëroi se nuk do të ketë rishikim të vendimeve javën e ardhshme, siç kishte paralajmëruar kryeministri Johnson.
Johnson kishte rezultuar pozitiv në testin për koronavirus dhjetë ditë para se të dërgohej në klinikën intesive.
Gjendja e tanishme e vendit ishullor me pandeminë është test serioz për ministrin e jashtëm pasi Britania shënoi rekord ditor të viktimave të koronavirusit të martën. Një universitet amerikan parashikoi se Mbretëria e Bashkuar do të jetë vendi më i goditur nga virusi në Evropë./Gazeta Sinjali/