Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, në deklaratën e saj në takimin e ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor sot në Berlin në kuadër të Procesit të Berlinit, iu ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë më shumë kompromise për të arritur deri te një marrëveshje që normalizon plotësisht marrëdhëniet.
Ajo tha se kjo situatë me tensione për çështje të ndryshme është e papërballueshme më.
“Situata e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë është arsye konstante e tensioneve për targat e veturave dhe distribucionit të energjisë. Ne nuk mund ta përballojmë më këtë. Kjo po i bën të dy vendet dhe gjithë rajonin të stagnojnë. Ne të gjithë e dimë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse që sjell normalizim të plotë një ditë duhet të arrihet. Pra, se të shtyhet tutje kjo. Qeveria gjermane mbështet plotësisht përpjekjet e ndërmjetësit të BE-së Lajçak në këtë drejtim. Presim më shumë gatishmëri për të bërë kompromise nga të dyja palët”.
Kryediplomatja gjermane në deklaratën hapëse të këtij takimi foli gjatë për luftën në Ukrainë dhe për atë që është përjetuar edhe në vetë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Lufta është kthyer në Europë”, ishte fjalia hyrëse e fjalimit të saj.
Ajo tha se si e lindur më 1980 në Gjermaninë Perëndimore kishte privilegjin që të mos përjetonte luftë, por shtoi se ajo që pa kur ishte në Ukrainë ishte vërtetim se sa e vlefshme ishte ruajta e paqes dhe stabilitetit.
“Kur udhëtova për në Ukrainë, e pashë më sytë e mi çfarë nënkupton lufta për njerëzit, për nënat, për baballarët, për motrat, për miqtë. Shumë prej jush në këtë sallë keni përjetuar luftën, dikush prej jush edhe personalisht. Ju e dini se çka do të thotë të shihni varre masive, ju e dini se çfarë do të thotë të menduarit se: ndoshta nëna ime mund të jetë këtu. Nëse doni të kuptoni pasojat e luftës, ju duhet t’i dëgjoni ata që kanë përjetuar luftën personalisht”.
Baerbock tha se rrethanat e reja në Europë pas luftës në Ukrainë e bënë edhe më të qartë se sa e rëndësishme është përfshirja e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
“Një gjë na është bërë edhe më e qartë. Paqja, stabiliteti dhe progresi ekonomik i vendeve që kemi arritur në Ballkanin Perëndimor janë thelbësore. Ajo tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet integruar në Bashkimin Europian”.
Për këtë, ajo dha një zotim.
“Ky është një prioritet i qeverisë gjermane dhe për këtë është edhe Procesi i Berlinit – të sjellim vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe që të sigurojmë paqen, stabilitetin dhe zhvillim ekonomik për gjeneratat e ardhshme”.